Greqia nis zbatimin e Nismës Kombëtare për uljen e çmimeve, mbi 1660 produkte më lirë në supermarket
Në Greqi ka nisur zbatimi i Nismës Kombëtare për Uljen e Çmimeve, një marrëveshje mes qeverisë dhe sektorit të tregtisë që synon të lehtësojë kostot për familjet dhe konsumatorët.
Mbi 1,660 produkte janë përfshirë deri tani, me një ulje mesatare të çmimeve prej rreth 7 për qind.
Për disa produkte, ulja arrin deri në 30 për qind. Konsumatorët do t'i identifikojnë artikujt e përfshirë përmes një etikete të posaçme në raftet e supermarketeve, me mbishkrimin “Ulja e Çmimeve – Nisma Kombëtare në praktikë”. Etiketa do të tregojë çmimin e ri, ndërsa informacioni i detajuar për produktet dhe përqindjen e uljes do të jetë i disponueshëm edhe në platformën “PosoKanei”.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 900 produkte të markave të njohura kanë një ulje mesatare prej 7 për qind, ndërsa për disa prej tyre zbritja arrin deri në 30 për qind. Në nismë përfshihen gjithashtu mbi 450 artikuj shkollorë, me ulje mesatare rreth 10 për qind, rreth 250 produkte me markë private me ulje prej 7 për qind dhe mbi 60 produkte mishi, me një ulje mesatare prej 7.2 për qind.
Mbi 90 kompani dhe 12 rrjete supermarketesh i bashkohen nismës
Në skemë marrin pjesë më shumë se 90 kompani furnizuese, 12 rrjete supermarketesh dhe tre rrjete dyqanesh lodrash dhe artikujsh shkollorë. Ulja përfundimtare për konsumatorin mund të jetë edhe më e madhe se niveli mesatar prej 7 për qind, pasi supermarketet mund të aplikojnë zbritje shtesë mbi ato të ofruara nga furnizuesit. Për këtë arsye, i njëjti produkt mund të shitet me çmime të ndryshme në rrjete të ndryshme.
Masa nuk është parashikuar si një promocion afatshkurtër. Uljet do të qëndrojnë në fuqi për një periudhë nga dy deri në katër muaj, në varësi të produktit dhe kompanisë. Nisma pason marrëveshjen mes qeverisë greke, industrisë dhe sektorit të shitjes me pakicë, fillimisht për ngrirjen e çmimeve gjatë korrikut dhe gushtit dhe më pas për zgjerimin e listës së produkteve me çmime të reduktuara.
Autoritetet greke vlerësojnë se masa mund të ndihmojë në zbutjen e presioneve inflacioniste, veçanërisht te ushqimet. Efekti përfundimtar do të varet nga mënyra se si uljet e shpallura do të reflektohen në kursimet reale të familjeve greke.